Takim i nivelit të lartë për zhvillimin e badmintonit në Kosovë dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030

29 Korrik 2025

Në ambientet e Kolegjit AAB, u zhvillua një takim i rëndësishëm mes Rektorit të Kolegjit AAB, prof. Blerim Olluri, dhe z. Sven Serré, Kryetar i Federatës Evropiane të Badmintonit, me seli në Kopenhagë, Danimarkë. Në këtë takim morën pjesë gjithashtu z. Lulzim Haziri, Kryetar i Federatës së Badmintonit të Kosovës, Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Fatmir Pireva, profesorët Blerim Sylejmani dhe Besim
Gashi, si dhe Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim, Venera Llunji.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi konkret për zhvillimin e badmintonit në Kosovë,
sidomos në kontekstin e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat do të mbahen për
herë të parë në Kosovë. Palët diskutuan mundësinë që badmintoni të përfshihet si sport zyrtar
në këto lojëra, duke theksuar rëndësinë e krijimit të infrastrukturës së përshtatshme dhe
mbështetjes akademike për zhvillimin e këtij sporti në nivel kombëtar, rajonal dhe
ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, u vlerësua potenciali i Kolegjit AAB si partner akademik dhe logjistik për
zhvillimin e sportit të badmintonit në Kosovë, përmes ofrimit të hapësirave moderne dhe
mbështetjes së vazhdueshme në hulumtim dhe edukim sportiv. Takimi gjithashtu shënoi një
hap të rëndësishëm drejt organizimit të një Konference Ndërkombëtare për Inteligjencën
Artificiale në Sport, e planifikuar të mbahet në muajin dhjetor 2025, me pjesëmarrje të gjerë
nga ekspertë të fushës së teknologjisë, shkencës së sportit dhe politikave sportive
ndërkombëtare.

Kolegji AAB vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij për ndërkombëtarizim, zhvillim të sportit në
edukim, dhe fuqizim të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke kontribuar drejtpërdrejt në
rritjen e profilit ndërkombëtar të Kosovës në arenën sportive dhe akademike.

Share: