Lansohet projekti UniGreen në Kolegjin AAB – Mbahet takimi i parë me partnerët

17 Dhjetor 2025

Sot në Kolegjin AAB është mbajtur takimi i parë për projektin ndërkombëtar UniGreen – Advancing Sustainability in Higher Education for the Benefit of All, të financuar nga programi Erasmus+ Capacity Building in Higher Education (CBHE) 2025, një iniciativë që synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e qëndrueshëm përmes arsimit të lartë.

Kolegji AAB ka rolin udhëheqës në këtë projekt, ndërsa pjesëmarrës në takim ishin edhe partnerët e projektit vendor dhe ndërkombëtar, përfaqësues akademikë dhe ekspertë të menaxhimit të projekteve.

Takimi u hap me fjalë hyrëse nga koordinatori i projektit, Prof. Aleksandar Takovski, i cili theksoi rëndësinë strategjike të projektit UniGreen. Ai deklaroi se ky projekt përfaqëson një hap të madh drejt ndërtimit të kapaciteteve akademike dhe institucionale, duke krijuar struktura të qëndrueshme menaxhimi dhe bashkëpunimi mes universiteteve partnere.

Në fjalën përshëndetëse, rektori i Kolegjit AAB Prof.Dr. Blerim Olluri, falënderoi të gjithë të pranishmit ndërsa tha se ky projekt vjen në kohën kur universitetet nuk janë vetëm qendra të dijes, por edhe aktorë kyç në adresimin e sfidave globale.

“Përmes UNIGREEN, ne po ndërmarrim hapa konkretë për të integruar mendësinë e gjelbër në qeverisje, mësimdhënie, praktika institucionale dhe angazhim me komunitetin brenda institucioneve të arsimit të lartë. Për Kolegjin AAB, qëndrueshmëria është e lidhur ngushtë me vizionin tonë strategjik. Ne e shohim tranzicionin e gjelbër jo vetëm si një çështje mjedisore, por edhe si një çështje arsimore, shoqërore dhe etike”, tha Olluri ndër të tjera.

Drejtoresha e Zyrës së Projekteve, Ilirjana Geci, foli për aspektin praktik të projektit, duke nënvizuar rëndësinë e planifikimit të qartë, menaxhimit efektiv dhe monitorimit të vazhdueshëm të aktiviteteve.

Gjatë ditës së parë të takimit pjesëmarrësit diskutuan në mënyrë të detajuar strukturën e projektit, paketat e punës (Work Packages), planin e menaxhimit, mekanizmat e sigurimit të cilësisë, si dhe strategjitë për menaxhimin e rreziqeve.

Secili partner prezantoi rolin dhe kontributin e tyre në projekt, duke shprehur angazhim të plotë për zbatimin e suksesshëm të tij.

Share: