Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, tri studente nga University of Caen Normandy, Francë, Alma Aratus, Lysa Castel dhe Morgane Léauté, janë duke realizuar internship në Fakultetin e Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB.
Ky program tremujor synon avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të studenteve në fushën e komunikimit dhe medias, ndërsa ofron përvojë të kombinuar mes teorisë dhe praktikës.
Gjatë kësaj periudhe, ato do realizojnë praktikë profesionale në ATV, ku do përfshihen në procese reale mediale, detyra konkrete dhe projekte nën mentorimin e stafit.
Njëkohësisht, studentet do ndjekin ligjëratat në Fakultetin e Komunikimit Masiv, ku do përfitojnë nga një qasje bashkëkohore e mësimdhënies që ndërthur aspektin akademik me përvojën praktike.
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e shkëmbimit akademik, si dhe në krijimin e një ambienti që nxit zhvillimin e kompetencave në komunikim dhe media.
Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, mbetet i përkushtuar në zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe në ofrimin e mundësive që përgatisin studentët për tregun global të punës.


