Në AAB Teatrin “Faruk Begolli” u dha premiera e shfaqjes për fëmijë “Dy gjitarë ëndërrimtarë“, sipas tekstit të Shaip Grabovcit dhe me regji të Melihate Qenës.
Me mesazhe shumë edukative për fëmijët, “Dy gjitarë ëndërrimtarë” ishte premiera e parë që u inseknua në AAB Teatrin “Faruk Begolli”.
Shfaqja bën fjalë për Maçok Mustaçokun dhe Minuk Bishthollin, të cilët duke lakmuar fëmijët shkollarë dhe të frymëzuar nga kënga e bukur e tyre, ëndërrojnë se janë bërë shkencëtarë të famshëm. Por, realiteti i “kthjellë” ata. Ata e kuptojnë se pa dije dhe sinqeritet e punë nuk arrihet asgjë!.
Ndryshe, regjisorja e shfaqjes Meli Qena, u shpreh se është tejet e lumtur për ndërtimin e një tetari të tillë. Po ashtu znj. Qena u shpreh se është tejet e kënaqur me pjesëmarrjen e fëmijëve, duke thënë se krejt kjo është meritë e aktorëve, që fëmijët ta përcjellin shfaqjen me interesim.
Në shfaqje u paraqitën: Edon Bërveniku në rolin e Maçok Musteçokut, Qëndresa Kajtazi në rolin e Minuk Bishthollit dhe Roza Berisha-Fejzullahu në rolin e mësueses.