U hap ekspozita tradicionale, e njëmbëdhjeta me radhë, e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve të Kolegjit AAB

26 Maj 2017

Sot, në Kolegjin AAB në Prishtinë, u hap ekspozita kolektive tradicionale, e njëmbëdhjeta me radhë,e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe të Arteve të Kolegjit AAB.

Në këtë ekspozitë, kurator i së cilës është prof. Fitim Aliu, janë ekspozuar punime të përzgjedhura të studentëve të të gjitha gjinive të arteve pamore: arkitekturë dhe interier, dizajn grafik, përgatitje e librit, grafika reklamuese, ilustrim, grafikë reklamuese, multimedia, fotografi, pikturë, vizatim, art konceptual, etj..

Hapjes së ekspozitës i parapriu edhe një program artistik i studentëve të Fakultetit të Artit Muzikor, në të cilin në fjalën e hapjes, prorektori për kërkim shkencor, prof. Hasan Saliu tha se “AAB përveç kërkimit shkencor dhe numri të madhe të programeve, rëndësi të madhe i kushton edhe krijimtarisë artistike”. Ai përgëzoi studentët për punën e bërë dhe uroi që ekspozita të ketë sa më shumë vizitor.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Arteve, prof. Shyqyri Nimani, tha se kjo ekspozitë, e 11-ta me radhë e studentëve prezanton punimet më të suksesshme të tyre, duke filluar nga viti i parë e deri në vitin e tretë: “Në krahasim me ekspozitat tjera, këtë vit është bërë një përparim i dukshëm, dhe ne jemi të lumtur që çdo vit e më shumë po arrihen sukseset,megjithatë tradita e krijon edhe cilësinë”, tha dekani Nimani.

Ekspozita është e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin në objektin II, të Kolegjit AAB.

Share: