U mbajt ekspozita kolektive tradicionale e studentëve të Kolegjit AAB

22 Maj 2017

Në hollin e Galerisë Mehmet Pasha “Hamam” në Prizren, për dy ditë me radhë është mbajtur e hapur ekspozita kolektive tradicionale e studentëve të Fakultetit të Arteve, dega Pikturë dhe Arte vizuale, të Kolegjit AAB.

“Artistët e ardhshëm, studentët e Kolegjit AAB, të cilët tashmë për herë të parë ekspozuan para publikut,  janë përcaktuar me punët e tyre krijuese. Dikush në pikturë e dikush në instalacionet e tyre modeste por me një mesazh shumë të fortë, të cilët falë mjeteve shprehëse dhe ndjeshmërisë së hollë koloristike,  krijuan imazhe artistike”, tha kuratori Enver Hoxhaj, njëheri edhe mësimdhënës në këtë fakultet.

Ndërsa prodekani në Fakultetin e Arteve, Fitim Aliu, shtoi se tematika e punimeve të ekspozuara ka qenë e lirë dhe kanë dalluar njëra me tjetrën, vetëm e vetëm për t’i  shërbyer artit bashkëkohorë në përgjithësi: “Dikush qorton dhe vetëdijeson rrethin ku jeton, tjetra ëndërron ngjyrat e Sistemit Diellorë, tjetri paraqet imazhet e New York’ut sikur të ishte njujorkez”,  tha Aliu.

Po ashtu edhe studentët u shprehen se;  në punimet e ekspozuara kanë punuar profesionalisht, me një përkushtim të madh dhe se angazhimi i mësimdhënësve nuk ju ka munguar,  duke kontribuar që puna e tyre të prezantohet sa më mirë.

Të pranishëm me rastin e hapjes së kësaj ekspozite përveç menaxhmentit të Kolegjit AAB, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve,  studentë dhe profesorë,  përfaqësues të universiteteve partnere të AAB etj.

Share: