Prevallë, shkurt 2015- Në kuadër të programit për ndërtimin e kapaciteteve të resurseve njerëzore, Kolegji AAB, ka nisur implementimin e projektit për aftësimin pedagogjik të mësimdhënësve të vet.
100 mësimdhënës të të gjitha njësive akademike të AAB-së, pjesëmarrës vullnetarë, kanë marrë pjesë në punëtorinë e parë në kuadër të këtij trajnimi, të premten, më 30 janar 2015, në ambientet e hotelit“Sharri” në Prevallë.
“Qëllimi i këtij trajnimi që certifikohet nga ana e Institutit AAB, është avancimi i cilësisë së mësimdhënies dhe i mjedisit për studime në AAB, përmes ngritjes së dijes e të shkathtësive pedagogjike të mësimdhënësve”, ka thënë koordinatori i këtij programi, prof. Xhavit Rexhaj.
Në ditën e parë të trajnimit u zhvilluan mbi 15 seanca paralele ku u trajtuan këto tema: Rezultatet e të nxënit dhe metodologjia e punës; Komunikimi psikologjik në procesin mësimor;didaktika e arsimit të lartë; Stilet e të nxënit dhe inteligjencat e shumëfishta dhe Të nxënit konstruktivist, ku ligjëruan njohës të dëshmuar dhe trajnerë të certifikuar në profesionete caktuara si, prof. dr. Neki Juniku, prof. dr. Naser Zabeli, prof. dr. Demë Hoti, prof. dr. Shemsedin Vehapi, prof. Alban Asllani dhe Xhavit Rexhaj.
Dy punëtoritë e tjera në kuadër të këtij programi do të organizohen në shkurt dhe mars 2015.
Në mbyllje të punëtorisë rektori prof. dr. Lulëzim Tafa, falënderoi pjesëmarrësit për punën aktive dhe premtoi përkrahje të vazhdueshme për zhvillimin profesional dhe avancimin e pandërprerë për stafin akademik të këtij institucioni.