U mbajt punëtoria e radhës në kuadër të projektit veror “AAB Summer Project”

14 Qershor 2021

Aktivitetet e përjavshme të Fakultetit të Psikologjisë, në kuadër të projektit veror “AAB Summer Project”, kanë vazhduar këtë javë me një ligjëratë tematike ku u fol për shërbimet psikologjike në Repartin e Gjinekologjisë në QKUK dhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin Brikena Krasniqi-Hoti, psikoterapiste dhe specialiste e psikologjisë klinike dhe po ashtu Arbër Zeka, psikoterapeut me specializim në psikoterapi grupore dhe psikoterapi pozitive, i punësuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Të dy psikologët ndanë përvojat e tyre shumë të vlefshme gjatë praktikës në punë, ku nuk mungoi as interesimi i studentëve të cilët parashtruan pyetje të shumta në lidhje me temat e diskutuara.

Psikologja Brikena Krasniqi-Hoti theksoi se nevoja për psikolog në repartin gjinekologjik është tepër e rëndësishme duke pasur parasysh natyrën e brishtë të femrës, e cila vazhdimisht është në një lloj tranzicioni psikologjik që nga faza e shtatzënisë e deri në fazën pas-natale, dhe marrja e ndihmës psikologjike në këto raste është më se e nevojshme për mirëqenien e tyre psikologjike.

Po ashtu edhe psikologu Arbër Zeka, ndau mjaft informacione interesante duke shpalosur edhe njëherë rëndësinë e psikologut në Shërbimin Korrektues të Kosovës, i cili theksoi se vetëm në vitin 2020 ndihma psikologjike që kanë ofruar psikologët në këtë institucion ka ndikuar në parandalimin e vetëvrasjeve, ku sipas tij janë të regjistruara përafërsisht 40 tentim vetëvrasje nga të burgosurit.

Zeka potencoi se në vazhdimësi përditësohen statistika të ndryshme, të cilat janë edhe të publikuara online në webfaqen e institucionit relevant, ndërsa ftoi edhe studentët t’ i përdorin ato për hulumtime të ndryshme në fushën e psikologjisë.

Nga ana tjetër, në kuadër të projektit ”AAB Summer Project” studentët së bashku me mentorët përkatës diskutuan hapat e mëtutjeshëm të hulumtimeve. Dekani Naim Telaku potencoi rëndësinë e projektit ndërsa për sqarimet shtesë të metodologjisë është përkujdesur Prof. Shpend Voca. Tanimë, grupet hulumtuese janë në fazën e përzgjedhjes së temave dhe variablave përkatëse.

Në përmbyllje të aktivitetit të sotëm dekani Telaku paralajmëroi studentët dhe të pranishmit se në takimin e radhës do të jetë e ftuar psikologja ndërkombëtare Dr. Mariel Leclère e cila do të flasë për Elektroencefalografinë EEG dhe Neurofeedback.

Share: