Në kuadër të lëndës “Psikologjia e anormalitetit” studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Psikologjisë, patën mundësinë të ndjekin dy workshope praktikuese të udhëhequra nga prof.Naim Telaku.
Qëllimi i këtyre punëtorive ishte që përmes simulimit të seancave psikoterapeutike, të ilustrohen praktikisht çrregullimet mendore dhe trajtimi i tyre. Për të realizuar këtë qëllim, ishte i angazhuar aktori/student i aktrimit Valmir Krasniqi. Performanca terapeutike është përgatitur paraprakisht dhe pastaj është luajtur para studentëve. Studentët e kanë mirëpritur shumë aktivitetin dhe kanë qenë shumë të përfshirë në pjesën e diskutimit.
Në lidhje me këtë dekanja e Fakultetit të Psikologjisë prof. Mimoza Kamberi, tha se praktika të këtilla janë prezente vetëm në universitetet më të njohura evropiane, andaj studentët tanë kanë përparësinë që këto eksperienca t’ i përjetojnë edhe në mjediset e Kolegjit AAB. Ajo theksoi se AAB përbën diferencën kur është fjala për mbështjetjen e iniciativave të tilla, të cilat kanë për qëllim përgatitjen sa më të mirë të studentëve në aspektin profesional.
Ndërsa, mentori i kësaj punëtorie prof. Naim Telaku tha se ky aktivitet ka lindur nga domosdoshmëria që lëndës “Psikologjia e anormalitetit” t’i shtohet ana praktike, pastaj nga interesimi dhe motivimi i madh i studentëve që të familjarizohen sa më shumë me anën aplikative të psikologjisë dhe nga gatishmëria e stafit menaxhues të AAB për të bashkëpunuar në këtë drejtim.
“Bazuar në mbresat jashtëzakonisht pozitive që na i ka lënë kjo punëtori, shpresoj se aktivitete të tilla të bëhen rutinore në të ardhmen në AAB”, ka thënë Telaku.
Studentët nga ana tjetër shprehën kënaqësinë dhe entuziazmin e tyre për punëtoritë në fjalë, duke u shprehur se kjo është mënyra më e mirë, për të përfituar praktikën e cila është shumë e rëndësishme për profesionin e psikologut.