U mbajt tryeza “Mundësitë e financimit të Startup nga BERZH”

19 Nëntor 2019

Në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week), në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB u zhvillua tryeza e diskutimit me temën “Mundësitë e financimit të Startup nga BERZH”. Në këtë tryezë u bashkëbisedua me panelistët: Leonora Kusari, EBRD Principle Manager; Osman Rraci, EBRD Associate; Agon Gashi, CEO Meridian Express (përfitues nga shërbimet e BERZH), dhe Kosovare Ukshini, mësimdhënëse në Fakultetin Ekonomik të Kolegjit AAB.

Leonora Kusari, prezantoi aktivitetet e BERZH në Kosovë me fokus te veçantë në zhvillimin e sektorit privat, respektivisht ndërmarrësisë. Ajo studentëve të AAB-së u prezantoi histori suksesi të ndërmarrësve të rinj, që ishte një motiv shtesë për audiencën për të konsideruar ndërmarrësinë si rrugëtim të karrierës.

Përfaqësuesi tjetër i BERZH, Osman Rraci prezantoi dy nga aktivitetet e BERZH, respektivisht (i) Startup dhe (ii) Gratë në Biznes, duke u fokusuar në aspektin e funksionimit të këtyre dy instrumenteve. U diskutua mbi iniciativën „Start Venture“ (https://www.ebrd.com/starventure) që do të dedikohet vetëm për Startup në fushën e këshilldhënies, mentorimit dhe financimit; si dhe mundësitë e financimit për Gratë në Biznes me bankën partnere, duke shpalosur veglën e vlerësimit të biznesit që mund të plotësohet nga secili biznes në mënyrë që të vlerësohen pikat e forta dhe të buta të biznesit, respektivisht: http://www.ebrdwomeninbusiness.com/.

Nga ana tjetër, Agon Gashi, drejtor ekzekutiv i kompanisë Meridian Express, shpalosi historinë e suksesit të biznesit të tij, duke treguar se si bashkëpunimi me shërbimet e konsulencës së BERZH ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin dhe rritjen e biznesit. Theks i veçantë në fjalën e tij u vendos edhe mbi sinergjinë e krijuar duke bashkëdyzuar financimin dhe këshilldhënien.

Tryeza vazhdoi me një diskutim të përgjithshëm me panelistët në tema të përkrahjes së ideve të reja dhe ndërmarrësisë, sfidat që ballafaqohen studentët pas diplomimit, si dhe shkathtësitë që kërkohen nga punëdhënësit në kohën e tanishme.

Share: