U mbajt tryeza “Ndërmarrësia përmes kontabilitetit”

12 Nëntor 2021

Kolegji AAB në bashkëpunimi me Institutin AAB për Kontabilist dhe Auditorë të Certifikuar, organizuan tryezën e diskutimit me studentët e Fakultetit Ekonomik, me temën “Ndërmarrësia përmes kontabilitetit”.

Kjo tryezë që u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Javës Globale të Ndërmarrësisë (#GEW2021 #gewkosovo2021), kishte për qëllim shpalosjen e informacione të rëndësishme për studentët se si munden që përmes aftësive dhe kualifikimeve të tyre në kontabilitet, të zhvillojnë bizneset e tyre.

Profesori Medain Hashani, dekan i Fakultetit Ekonomik dhe profesor i fushës së kontabilitetit tregoi rëndësinë e kontabilitetit dhe informacionet që ekspertët e kontabilitetit i japin për performancën e ndërmarrjeve.

Ai tha se në vendin tonë kryesisht kontabilistët punojnë në kontabilitetin e taksave, por për performancën e kompanive shumë më i rëndësishëm është kontabiliteti menaxherial, i projektit e ai financiar.

Sipas znj. Fiknete Balaj profesioni i dytë më i kërkuar në botë është ai i kontabilitetit, sepse profesionistët e IT-së janë të parët, por si këshilltarë dhe krijues të strukturës së programeve kompjuterike janë kontabilistët.

Për të krijuar një biznes të kontabilitetit duhet që të jeni profesionist, të keni praktikë, kompetencë, vendosmëri, guxim dhe rrjetëzim profesional.

Teuta Doli, themeluese e ndërmarrjes së shërbimeve të kontabilitetit AEP, foli për sfidat në krijimin e bizneseve që ofrojnë shërbime të kontabilitetit. Ajo në këtë mes përmendi mungesën e përvojës, vështirësitë për t’ i bindur klientët për të marrë shërbimet, mungesa e njohurive praktike, etj..

Share: