U mbajt tryeza “Roli dhe ndikimi i arteve në zhvillimin e hershëm të fëmijëve”

20 Nëntor 2017

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, që shënohet më 20 nëntor, Fakulteti i Shkencave Sociale në Kolegjin AAB organizoi tryezën me titull “Roli dhe ndikimi i arteve në zhvillimin e hershëm të fëmijëve”.

Në këtë tryezë me referimet e tyre u paraqitën mësimdhënës të Kolegjit AAB, nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Psikologjisë e Fakulteti i Arteve, si: prof. Elizabeta Qarri , prof. Xhevat Syla, prof. Bujar Tafa, prof. Shyqri Nimani, prof. Armen Mustafa.

Hapjen e tryezës e bënë prof. Shemsedin Vehapi dhe dr. Hysen Kasumi të cilët konfirmuan angazhimin dhe përkushtimin e plotë të Kolegjit AAB dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale për t’ u marrë edhe me aktivitete të këtilla që do t’ i kontribuonin ngritjes së cilësisë së studimeve.

Në referimin e saj në temën “Edukimi muzikor dhe roli i tij në zhvillimin e hershëm të fëmijës”, prodekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale, Elizabetë Qarri, theksoi se fëmijëria ka rëndësi të madhe për formimin e njeriut dhe se muzika është një faktor i rëndësishëm për një rritje të shëndoshë. Ndër të tjera ajo tha se muzika është gjithashtu një mënyrë e fuqishme që fëmijët të lidhen me origjinën, me rrënjët e tyre.

Ndërsa prof. Shyqyri Nimani, tha se arti është i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve sepse vizatimet dhe ngjyrat që përdorin fëmijët i bëjnë ata më kreativ dhe më mendje hapur në shumë aspekte. “Kur një fëmijë vizaton, zgjedh me kujdes letrën, lapsat, ngjyrat, objektin që do të vizatojë, madhësinë, vendodhjen… Në këtë mënyrë ai na tregon historinë e tij. Vizatimi i tij është unik dhe na jep informacione të çmuara rreth krijuesit të tij. Arti është i domosdoshëm në çdo aspekt të zhvillimit të njeriut, shpesh arti ndihmon edhe në kontrollin e ndjenjave të fëmijëve, i ndihmon ata të kuptojnë më mirë botën emocionale që i rrethon”, tha prof.Nimani.

Kontributin e tyre në këtë tryezë në aspektin e ndikimit të letërsisë te fëmijët e dhanë edhe prof.Xhevat Syla dhe prof.Bujar Tafa.

Në këtë panel morën pjesë edhe studentë të drejtimeve të ndryshme, të cilët ishin pjesë e diskutimeve në fund të tryezës.

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve, u shpall më 20 nëntor 1954 nga Kombet e Bashkuara, ndërsa synon të promovojë mirëqenien e fëmijëve kudo, të parandalojë çdo formë dhune apo abuzimi ndaj tyre, si dhe të inkurajojë mirëkuptimin ndërmjet fëmijëve në gjithë botën.

Share: