U promovua libri “Suksesi i menaxhimit në shitje” i ish-studentit të AAB-së, Shpëtim Memishi

15 Mars 2021

Në Kolegjin AAB u bë promovimit “Suksesi i menaxhimit në shitje”, i autorit Shpëtim Memishi. Në këtë libër, autori Shpëtim Memishi përpiqet që në mënyrë të detajuar të pasqyrojë konceptet e menaxhimit të shitjes në përgjithësi dhe procesin vetefiçiencës menaxheriale të shitjes në veçanti.

“Suksesi i menaxhimit në shitje”, është i ndarë në gjashtë pjesë dhe katërmbëdhjetë kapituj, ndërsa sjell një qasje krejtësisht praktike dhe përmes saj autori pasqyron ciklin e plotë të procesit të menaxhimit të shitjes, që nga faza planifikimit, organizimit, komunikimit, procesit dhe teknikave të negocimit e deri tek analiza dhe vlerësimi i shitjes.

Në fjalën e tij me rastin e promovimit të librit, profesori i Fakultetit Ekonomik, Ilir Rexhepi ndër të tjera tha se e veçanta e këtij libri në kontekst përmbajtësor, përveç kontekstit shkencor, është mënyra se si autori e gërsheton përvojën praktike me valorizimin e shembujve shpjegues, rasteve studimore, koncepteve, metodave, instrumenteve dhe teknikave te shitjes. Të gjitha këto në funksion të shitjes sa më të suksesshme.

“Ky libër është një instrument i shkathtësive me një qasje alternative, në përgjithësi praktike që do t’ i shërbejë të gjithë studentëve dhe të interesuarve të tjerë nga fusha e menaxhimit të shitjes, që të avancojnë formësimin e tyre praktik profesional në funksion të menaxhimit të shitjes në përgjithësi, përkatësisht suksesit në procesin e shitjes së produkteve apo shërbimeve në veçanti”, tha Rexhepi.

Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik, Medain Hashani, e vlerësoi punën e autorit Shpëtim Memishi, duke nënvizuar se Memishi ka mbaruar studimet për ekonomi në të dy nivelet në Kolegjin AAB, dhe se kontributi i tij është i vazhdueshëm.

Share: