Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB dhe Instituti Kosovar për Media dhe Komunikim, zhvilluan një aktivitet të përbashkët me fokus në nivelin e lirisë së shtypit në Kosovë.
Me këtë rast, u bë edhe prezantimi i gjetjeve të hulumtimit të zhvilluar nga IKMK në këtë temë, i cili u pasurua a edhe me një debat të organizuar me këtë rast, ku të ftuar ishin drejtues të mediave si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Prezantimin e hulumtimit e bënë Resul Sinani dhe Kaltrina Ajeti.
Deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati i përgëzoi ata për këtë hulumtim, duke thënë se ky është edhe një hap para i Kosovës drejt përmirësimit të nivelit të lirisë së shtypit në Kosovë.
Ai shtoi se rezultatet e këtij hulumtimi janë mesatare, ashtu si edhe në të gjithë sektorët e tjerë në Kosovë, qoftë atë ekonomik, politike etj.
“Sa i përket ligjeve, nuk kemi vërejtje, por kemi deficit të sundimit të ligjit”, theksoi deputeti Ferati.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, në fjalën e saj tha se gjendja e lirisë së shtypit në Kosovë është mesatare, mirëpo sipas saj, janë mediat online që llogariten të jenë mbi 300, për të cilat do të duhej një rregullator.
Ndërsa, deputetja nga radhët e VV-së, Shqipe Pantina, në fjalën e saj i përmendi grupe faktorësh , të cilët sipas saj, po e cenojnë lirinë e medias e ato janë: sundimi i ligjit, mungesa e zhvillimit ekonomik, mekanizmat që e rregullojnë çështjen e mediave dhe përgjithësimi.
Në këtë debat morë pjesë edhe drejtues të mediave në vend si: Eugen Saraçini nga RTV21, Gazmend Syla nga Klan Kosova, Leonard Kërçuki nga Gazeta Express si dhe Astrit Gashi nga Gazeta Blic, të cilët dhanë mendimet e veta se si e vlerësojnë lirinë e medieve në Kosovë, vetë gazetarët dhe redaktorët.
Drejtuesit e mediave përgëzuan institutin IKMK për këtë hulumtim si dhe dhanë vlerësimit dhe sugjerimet e tyre për të ardhmen.