U zhvillua punëtoria për strategjitë e promovimit të produkteve dhe shërbimeve në Kosovë

8 Mars 2021

Në kuadër të lëndës “Marketingu i shërbimeve” në programin Master Marketing dhe Menaxhim Biznesi, u mbajt punëtoria me studentë për mënyrën e promovimit të produkteve dhe shërbimeve të ndryshme të kompanive kosovare.

Në këtë punëtori studentët demonstruan aftësi të interpretimit të nevojave të kompanisë për promovim të mirëfilltë të produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke treguar forma të ndryshme se si u hulumtuan tregje të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe si u përshtatën ato me mundësitë dhe nevojat e kompanisë.

Profesori Ali Ismajli dhe studentët pjesëmarrës në punëtori gjatë promovimit të produkteve konkrete të disa kompanive kosovare dhe të huaja që operojnë në Kosovë, theksuan se komunikimi i qartë dhe i sinqertë me klientët paraqet bazën e suksesit të kompanisë, pastaj, modalitetet se si të promovohen produktet paraqesin strategji që secila kompani duhet të investojë shumë në mënyrë që t’ i përshtatin ato me sjelljen konsumatore.

Studentët erdhën në përfundim se shërbimet janë më vështirë të promovohen se sa produktet, por që marketingu modern përmes mediave sociale jep mundësi shumë të mira edhe për promovimin e shërbimeve.

Ato dallohen edhe për nga strategjitë e promovimit dhe të komunikimit me klientë, duke theksuar që në Kosovë, forma më e përdorur për promovim të shërbimeve është reklama në rrjete sociale dhe kontakti i drejtpërdrejtë i zyrtarëve të kompanive në ambientet kur jetojnë e veprojnë klientët potencialë.

Ndërkaq për produktet ndër strategjitë më të përdora për marketing të produkteve janë reklamat, kampanjat e zbritjeve, premiumet, bonuset, kuponat, etj.

Studentët u përgëzuan për punën dhe mënyrën e demonstrimit të formave të promovimit dhe interpretimit analitik të tyre në kontekst të perfomancës së biznesit.

Ata u ndanë shumë të kënaqur me organizimin dhe shtuan se aktivitetet e tilla shtojnë kompetencat e tyre dhe njohuritë për të vepruar në mënyrë të pavarur në rrethinë dhe këto kompetenca t’ i përdorin në biznes.

Share: