Për vitin e pestë me radhë studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja po vazhdojnë ofrimin e mësimit të gjuhës angleze falas për fëmijët e fshatit SOS.
Në ditën informuese të programit profesional-vullnetar “Anglishtja nga unë te ti”, studentët u pritën nga Udhëheqësja e Qendrës Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje Arjeta Rexha, e cila informoi studentët për specifikat e fshatit SOS.
Nga ky program profesional vullnetar përfitojnë 100 fëmijë, të cilët kanë nevojë për mbështetje financiare dhe sociale. Rreth 15 mësuese vullnetare iu nënshtruan fillimisht një trajnimi në lidhje me metodologjinë e mësimdhënies, të udhëhequr nga koordinatori për mësim profesori i Fakultetit të Gjuhës Angleze, Niman Dreshaj, i cili do udhëheq edhe monitorimin e përjavshëm të kurseve.
Programe të tilla nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB, janë kthyer në një traditë tashmë që rrisin vetëdijësimin e të rinjve për kontributin në komunitet.