Përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Silvana Verdiani, zhvillon vizitë monitoruese në Kolegjin AAB

24 Nëntor 2025

Kolegji AAB mirëpriti znj. Silvana Verdiani nga Komisioni Evropian, e cila zhvilloi një vizitë monitoruese në kuadër të projekteve Erasmus+, me fokus të veçantë projektin WB-Edu4Migration.

Vizita filloi me takimin me Rektorin e Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, Prorektoren për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Venera Llunji, Drejtoreshën e Zyrës së Projekteve, znj. Ilirjana Geci, si dhe znj. Mimika Dobroshi nga Zyra Erasmus+ në Kosovë. Në këtë takim u diskutua roli i projekteve ndërkombëtare në zhvillimin institucional të AAB-së dhe bashkëpunimet me partnerët evropianë.

Znj. Verdiani u takua me ekipin e Zyrës së Projekteve, të përfaqësuar nga Erëza Mehmeti, si dhe me koordinatorin institucional të projektit WB-Edu4Migration, Ardian Sallauka. Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e deritanishme, dinamika e implementimit dhe hapat e radhës në zbatimin e paketave të punës.

Pjesë e vizitës ishte edhe monitorimi i sesionit të Trajnimit të Trajnerëve (ToT), i cili po zhvillohej në AAB në kuadër të Work Package 4. Znj. Verdiani u njoh nga afër me aktivitetet praktike të trajnimit, përfshirjen e stafit akademik dhe bashkëpunimin me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Vizita u përmbyll me një shëtitje në ambientet e Kolegjit AAB, duke përfshirë laboratorët, hapësirat mësimore dhe infrastrukturën e dedikuar për projektet.

Kolegji AAB e vlerëson këtë vizitë si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit me Komisionin Evropian, si dhe në avancimin e projekteve ndërkombëtare të institucionit.

Share: