Vizitë studimore e studentëve të shkencave sociale të Universitetit AAB në institucionet arsimore gjermane

27 Prill 2015

Prej 22-  26 prill 2015 Kolegji AAB organizoi një visit studimore në Gjermani me studentët nivelit master në Fakultetin e Shkencave Sociale. Vizita u organizua nga profesori Lulzim Dragidella dhe nga rektorati i AAB në fakultetet e Shkencave të Aplikuara në Universitetin e Heidenheim-it dhe në Universitetin e Nurnbergut. Pos kësaj, 14 studentë dhe dy mësimdhënës vizituan edhe dy qendra për përkujdesjen e fëmijëve dhe të të rinjve në nivel vendor.   

Fakulteti i Shkencave Sociale – Universiteti i Shkencave të Aplikuara – Heidenheim

Në ditën e parë të vizitës në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Heidenheimit grupi i studentëve tanë kanë këmbyer përvojat me studentët e Fakultetit simotër në  Heidenheim. Profesori J. Falterbaum, udhëheqës  i programit të studimeve sociale ka bërë një prezantim të sistemi të mirëqenies sociale në Gjermani, dhe të sistemit dual të studimit në FSHS në Heidenheim. 

Pastaj, studentët mikpritës kanë bërë prezantimin e projekteve të tyre në disa tema: mbrojtja e fëmijëve me nevoja të veçanta në Gjermani, papunësia dhe trajtimi i saj në Gjermani, të qenit student në Gjermani, roli, detyrat dhe aktivitetet e unionit studentor në Heidenheim (ASTA, StuPa), 

Profesori Lulzim Dragidella ka bërë një paraqitje të sistemit të mirëqenies sociale në Kosovë, studenti Besim Alaj ka prezantuar AAB-në dhe studentja Afërdita Hyseni ka folur në përgjithësi për sistemin e mirëqenies sociale në Kosovë nga këndvështrimi i organizatave ndërkombëtare aktive në Kosovë në këtë fushë, si për shembull Amici dei Bambini.

Gjatë pauzës studentët nga dy universitetet kanë shikuar mundësinë e angazhimit të përbashkët në hulumtime të ndryshme në fushat me inter të ndërsjellë, si për shembull papunësia, fëmijët me nevoja të veçanta, mbrojtja sociale, institucionet për mbrojtje sociale e të tjera.

Ne Fakultetin e Shkencave Sociale kanë premtuar ta shohin mundësinë e vizitës së grupit të studentëve të tyre në AAB për një ditë gjatë qëndrimit të tyre të ardhshëm në Kosovë.

Takimi me udhëheqësen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Universitetit të Heidenheim-it, profesor Brigitte Ilg

Me prorektorën për bashkëpunim ndërkombëtar u trajtuan të gjitha fushat e bashkëpunimit: mobilitetet shumëpalëshe, dypalëshe, projektet e përbashkëta, programet e shkëmbimit të studentëve, puna praktike, internacionalizimin, programet ne gjuhën angleze dhe në gjuhët e huaja, programet e studimit, etj. Në fund palët u morën vesh për zhvillimin hap pas hapi të bashkëpunimit sipas fushave të identifikuara prioritare.

Në Universitetin e Heidenheimit është bërë edhe një vizitë e hollësishme e infrastrukturës në ndërtesën e re. Në këtë ndërtesë janë vizituar sallat e mësimit, laboratorët, zyrat, hollet, atriumet dhe pjesë të tjera që do të ishin me rëndësi për ndërtesën e re të AAB-së. Në klasa ka lënë përshtypja tabela me nivele të ndryshme dhe lëvizje horizontale e vertikale – dërrasë e gjelbërt në të cilën shkruhet me shkumës, tabelat smart, ndriçimi në klasa, projektori vizual (një formë e projektorit klasik që nuk përdorë transparenca por çfarëdo materiali), përdorimi i tabelave të ndryshme me tapë, të polivinilit, të plastikës, me letër, e të tjera.

Përdorimi i sensorëve për ndezje dhe ndërprerje të ndriçimit nëpër klasa, përdorimi i një çelësi për të gjitha dhomat, përdorimi i kartelës për hapje të derës në laboratorin e informatikës, salla e provimeve me 72 ulëse, shkallët flutur me dy drejtime, etj. Janë disa nga inovacionet e përdorura në këtë universitet që mund të hyjnë në punë në ndërtesën e re të AAB-së që pritet të hapet në tetor të këtij viti.

EVA Heidenheim – Qendër për Përkujdesje të Fëmijëve me probleme sociale në Heidenheim

Kjo Qendër përkujdeset përreth 150 fëmijë të moshave deri në 16 vjet të cilët kanë problem të sjelljes ose problem të tjera sociale. Qëndrimi në këtë qendër është konviktor dhe ofrohen të gjitha shërbimet prej vendosjes, ushqimit, shkollimit, trajtimit të problemeve e të tjera. Fëmijët e vendosur këtu kanë mundësi të përfitojnë edhe nga kurset më të ndryshme dhe aftësim për zanate. Drejtoresha e Departamentit për Fëmijë dhe të Rinj, znj. Gabrielle Wiedemann ka bërë prezantimin e programit të punës me fëmijët dhe të rinjtë si në aspektin akademik dhe në atë të aftësimit për punë dhe jetë.  

Vizitorët nga AAB panë objektin e Qendrës, shërbimet dhe mbajtën një diskutim të gjatë e të pasur për përvojat dhe praktikat e mira në të dyja vendet.

Rezultatet konkrete të vizitës: 

Ne Universitetin Heidenheim është vendosur që të fillojë mobiliteti i studentëve të AAB-së për tetorin e këtij viti për programet e studimit në gjuhën angleze në fushën e ekonomisë.

Në EVA Heidenheim – Qendër për Përkujdesje të Fëmijëve është premtuar një vend për punë praktike të studentëve në kohëzgjatje një deri gjashtë muaj duke filluar nga viti 2015.   

Në mëngjesin e datës 24 prill grupi i studentëve të AAB-së kanë vizituar Qendrën tjetër për përkujdesje Betreutes Wohnen për personat me probleme mendore e sociale. Për dallim nga EVA Heidenheim, kjo Qendër merret me shumë me konsultime, terapi psikologjike dhe ndihmë jokonviktore personave në nevojë. Shërbimet që ofrojnë këta janë: konsultime 24 orë në telefon, vizita në banesë të klientëve, programi për trajtimin e personave np ndihmë, hartimi i planeve individuale, kosnultime në qendër e të tjera. Pjesë e Kishës Evangjeliste, kjo qendër ofron shërbime për qytetin e Nurbergut për personat në nevojë për përkujdesje sociale e psikiatrike.

Znj. Wiebke Majoor nga kjo qendër ka ofruar të informacione për punën e qendrës dhe format e bashkëpunimit të kësaj qendre me administratën e qytetit të Nurnbergut. Studentët e AAB pastaj prezantuan përvojat e Kosovës dhe bënë pyetje lidhur me sistemin gjerman të përkujdesjes. Në fund, mysafirët nga Kosova kanë vizituar objektin e Qendrës. Në fund u vendos që të vendoset bashkëpunimi në shkëmbimin e përvojave në mes të dy institucioneve.

Në seancat e pasdites, studentët vizituan Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Nurnbergut ku u priten nga profesoresha Gertraude Mueller, profesoreshë në këtë fakultet. Profesoresha Mueller i prezantoi programet e fakultetit për nivelet bachelor dhe master si dhe sitemin dual të studimeve sociale në këtë fakultet. Në prezantimin e vet, prof. Mueller tregoi se për implementimin e sistemit dual të studimeve rëndësi prioritare ka lidhja dhe mirëmbajtja e partneriteteve me partnerët social. Në fund të takimit grupet u dakorduan që të vazhdojë praktika e shkëmbimit të vizitave në mes të dy universiteteve.  

Share: