Në kuadër të aktiviteteve akademike të Fakultetit të Shkencave Sociale, u zhvillua me sukses webinari me temën: “Përdorimi i gjuhës amtare (nënë) në fëmijërinë e hershme”, i mbajtur nga Dr. Rrezarta Avdyli, specialiste me përvojë të gjerë në fushën e psikologjisë dhe edukimit.
Dr. Avdyli aktualisht jeton dhe vepron në Spanjë, ku është pjesë e Poliklinikës Neurofunción dhe bashkëpunëtore në UNIR University.
Prof. Rrezarta Avdyli diskutoi rëndësinë e përdorimit të gjuhës në edukimin e hershëm të fëmijërisë, duke theksuar nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse që integron aspektet njohëse, sociale dhe kulturore. Ajo theksoi rolin e edukatorëve në nxitjen e zhvillimit gjuhësor përmes metodave të personalizuara të mësimdhënies dhe përdorimit të teknologjisë.
Ajo gjithashtu përmendi rëndësinë e shumëgjuhësisë (multilingualizmit) dhe ekosistemeve në zhvillimin njohës, duke vënë në dukje sfidat dhe përfitimet e një qasjeje të tillë. Ndërsa preku kompleksitetet e përpunimit të gjuhës, duke përfshirë aspektet neurokognitive dhe semantike, dhe nevojën për zhvillim të vazhdueshëm profesional për edukatorët.
Webinari u karakterizua nga një interaktivitet i lartë me të pranishmit, ku studentët, profesorët dhe gjithë të interesuarit, parashtruan pyetje dhe komente të cilët pasuruan edhe më shumë këtë webinar.