Në një takim të kombinuar fizik e virtual me të gjithë pjesëtarët e Klubit të Ekonomistëve të Rinj të Kolegjit AAB, u zgjodh kryesia e re e klubit për vitin akademik 2020/21.
Në krye të Klubit i cili mbledh studentët e të gjitha programeve studimore të Fakultetit Ekonomik në të tre degët e Kolegjit AAB, u zgjodh studentja Agnesa Tullari, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Andi Vehapi dhe Alma Jakupi.
Kryetarja e sapozgjedhur e klubit, Agnesa Tullari, falënderoi të gjithë profesorët dhe kandidatët për besimin e dhënë. Ajo premtoi se do të punojë në realizimin e të gjitha objektivave të Klubit të Ekonomistëve të Rinj.
Klubi i Ekonomistëve të Rinj është themeluar në vitin 2016, ndërsa qëllimi i themelimit të këtij klubi është organizimi i aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe sociale që ndihmojnë studentët për përgatitje profesionale për tregun e punës.