Në Kolegjin AAB nisi Festivali i studentëve “Prishtina Arts and Architecture Festival” (PAAF 2019)

22 Maj 2019

Në një ceremoni solemne në Kolegjin AAB sot nisi i vetmi festival i studentëve në vendin tonë, “Prishtina Arts and Architecture Festival”,  ku të pranishëm ishin dashamirës të artit, studentë e fytyra eminente të fushës së kulturës në Kosovë. Festivali PAAF 2019 këtë vit numëron edicionin e tij të dytë dhe do të zgjasë tre ditë.

Hapjen e festivalit PAAF 2019, e bëri rektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim Tafa i cili mes tjerash tha se Kolegji AAB është vendi ku më së shumti ndodhin aktivitetet kulturore. Ai tutje shtoi se AAB, përveç se është qendra kryesore e arsimit të lartë, tashmë është bërë qendra kryesore edhe e kulturës.

“Ky festival është një mundësi shumë e mirë që edhe mysafirët e huaj që vinë, të njihen më shumë me vendin tonë. Mundësitë nuk vinë, ato i krijojmë – Kolegji AAB e ka krijuar këtë mundësi që nga themelimi. Fakulteti i Arteve dhe ai i Arkitekturës ka krijuar këtë mundësi dhe në fillim kur ka filluar AAB-ja objektivat tona kanë qenë që Kolegji AAB të mos jetë vetëm qendra kryesore e arsimit në vend por të jetë edhe qendra kryesore e kulturës në vend, dhe, po ia kemi dalë. AAB sot është vendi ku më së shumti ka aktivitete kulturore”, tha rektori Tafa.

Ndërsa, Drejtori i Bordit të Festivalit PAAF2019, Prof. Shyqri Nimani, tha se ideja që të krijosh gjëra atraktive dhe produktive e që përfaqësojnë interaktivitetin e profesorëve dhe të studentëve  është edhe qëllimi i festivalit. Ai gjithashtu tha se puna e studentëve që do të promovohet gjatë festivalit, vlen të shihen edhe nga audienca ndërkombëtare.

“Ky festival ka një spektër të gjerë të disiplinave të Arteve Figurative, Muzikore pastaj Dramatike dhe kjo është jashtëzakonisht atraktive jo vetëm për studentët por edhe për publikun që njoftohet me to.  Ky festival ka për qëllim të prezantojë një arritje multidiciplinare. Përzgjedhja është bërë shumë e mirë dhe ju premtoj që kohën që do ta kaloni gjatë këtij festivali do të jetë tejet atraktive për ju dhe miqtë tuaj”, tha Nimani.

Dita e parë e festivalit PAAF 2019 vazhdoi me ekspozitën Kolektive të studentëve të Fakultetit të Arteve, ku u prezantuan qindra punime të studentëve të cilat në vete përmbajnë mesazhe të ndryshme.

“Prishtina Arts and Architecture Festival” do të vazhdojë të mbahet edhe për dy ditë të tjera në hapësirat e Kolegjit AAB (22-24 maj 2019), dhe për shikuesit do të ofrojë edhe një varg aktivitetesh të tjera e punëtorish artistike.

Për të mësuar më shumë rreth programit të PAAF 2019 klikoni linkun zyrtar të festivalit:

https://paaf.aab-edu.net/

Share: