Kolegji AAB dhe MINTI thellojnë bashkëpunimin për organizimin e Samitit Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë

17 Korrik 2026

Në kuadër të angazhimit për promovimin e inovacionit, transformimit digjital dhe zhvillimit të teknologjive të avancuara në Kosovë, Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri dhe Pro-rektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim, Venera Llunji, zhvilluan një takim me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila.

Në qendër të diskutimeve ishte organizimi i Samitit Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë, i cili do të mbahet më 3 dhe 4 shtator në Kolegjin AAB, duke mbledhur ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike, akademisë, industrisë dhe sektorit privat.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe institucioneve të arsimit të lartë në krijimin e politikave që mbështesin inovacionin, zhvillimin teknologjik dhe përgatitjen e kuadrove profesionale për sfidat e epokës digjitale.

Rektori Olluri prezantoi vizionin dhe objektivat e samitit, duke theksuar se ky organizim synon të shndërrohet në një platformë të rëndësishme ndërkombëtare për diskutimin e zhvillimeve më të fundit në inteligjencën artificiale, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe krijimin e partneriteteve të reja strategjike.

Ministrja Kusari-Lila vlerësoi iniciativën e Kolegjit AAB, duke riafirmuar rëndësinë e integrimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjive inovative në proceset institucionale dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Po ashtu, u shpreh gatishmëria që MINTI të kontribuojë në sesionet e samitit dhe të shqyrtojë mundësi të reja bashkëpunimi me Kolegjin AAB në fusha që ndërlidhin akademinë, institucionet publike dhe sektorin privat.

Palët vlerësuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për nxitjen e inovacionit, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, si dhe për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e Kosovës.

Përmes organizimit të Samitit Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë, Kolegji AAB vazhdon të konsolidojë rolin e tij si një nga institucionet lider në vend dhe rajon në promovimin e dijes, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar një platformë që do të kontribuojë në formësimin e së ardhmes teknologjike të Kosovës.

Share: