Nis punimet konferenca shkencore ndërkombëtare e Fakultetit të Komunikimit Masiv

14 Qershor 2024

Sot ka filluar mbajtja e konferencës shkencore të Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, me titull “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe intelegjencës artificiale”, e cila ka sjellur dy ekspertët më të njohur botëror në fushën e komunikimeve si folës kryesor.

Në hapjen e konferencës e cila u moderua nga prorektorja Venera Llunji, u theksua rëndësia që përmban organizimi i konferencave të tilla shkencore në kohën e zhvillimeve të vrullshme në botë. Ajo tha se AAB në partneritet me Universitetin e Tiranës dhe Institutin e Komunikimeve të Greqisë menduan ta thellojnë argumentin duke u mbledhur në këtë ngjarje.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje folësve kryesorë Prof. Mark Deuze dhe Prof. Dr. Lukasz Tomczyk, ndërsa foli për konferencat e shumta që organizon Kolegji AAB si një nga prioritetet e institucionit.

“AAB nuk organizon konferenca të përgjithshme e të shtrira në më shumë fusha, por konferenca të fokusuara dhe ndërdisiplinare. Përqendrimi në një temë, ashtu siç është edhe kjo sot, paraqet një garanci për të ruajtur kriteret akademike, kundrejt komercializmit të sotëm që ndodh madje edhe me shkencën. Në këtë kuptim, shpreh bindjet se punimet e kësaj konference dhe përfundimet e saj do të jenë një kontribut i rëndësishëm akademik”, tha Olluri.

Kryesuesi i kësaj konference njëherazi prorektori Hasan Saliu, në fjalën e tij të rastit u shpreh i lumtur që janë duke realizuar këtë ngjarje derisa dha detaje për pjesëmarrësit dhe temat që përfshihen.

“Temat që i kemi zgjedhur sot për të disktuar, janë sfiduese por edhe të rëndësishme për shoqërinë tonë. Prandaj si kryesues i kësaj konference, dua të shpreh mirënjohjen time për pjesëmarrjen tuaj dhe kontributet që do të jepni gjatë prezantimeve tuaja në këto tematika të rëndësishme. Do të doja të theksoja se kemi pjesëmarrës nga vende të ndryshme, duke përfshirë Holandën, Poloninë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Nigerinë, Maqedoninë e Veriut, Italinë, Francën, Marokun, Kroacinë, Indianë, Malajzinë, Turqinë, Shqipërinë, Malin e Zi, dhe për të fundit, por jo për nga rëndësia, Kosovën. Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kontribuan në organizimin e kësaj konference, për partnerët tanë, por edhe për ata që bënë orë të gjata pune vullnetare në organizimin e konferencës”, shtoi Saliu.

Pas fjalimeve, radha ishte për folësit kryesorë të cilët ekspertizën e tyre të bujshme në fushën e komunikimeve e sollën në AAB. Profesori Mark Deuze nga Universiteti i Amsterdamit, foli për gjetjet e tij të fundit shkencore të përfshira në librin “Life in Media: A Global Introduction to Media Studies”, i publikuar muaj më parë nga universiteti prestigjioz amerikan, MIT. Titulli i prezantimit të tij sot ishte “Living a Good Life in Media”.

Ndërsa Prof. Dr. Lukasz Tomczyk, nga Jagiellonian University në Poloni, foli për “Creating false information online about teachers and the digital security of the school ecosystem”.

Në fund u dha mundësia që për folësit kryesorë të parashtrohen pyetje nga të pranishmit dhe u zhvilluan diskutime.

Pas hapjes së konferencës, punimet e saj u zhvilluan me panele të moderuara nga: Andrea Miconi, Katerina Spasovska, Silvana Neskovska, Loreta Axhami, Xhevahire Izmaku, Resul Sinani, Gazmend Abrashi dhe Venera Llunji.

Share: