Shtëpia Botuese AAB ka nxjerrur nga shtypi librin e ri poetik të autorit Lulzim Tafa, me titull “Rivali i Adamit”.
Lajmin e bëri të ditur poeti Lulzim Tafa, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ku shkroi:
“Të dashur miq, doli nga shtypi libri im më i ri, për mua si autor është gëzim kurse për lexuesit nuk e di, shpresoj”!
Recensenti i librit, njëherazi shkrimtari dhe studiuesi Rrahman Paçarizi, tha se përmbledhja e poezive “Rivali i Adamit”, e konfirmon edhe një herë tjetër pas të gjitha çmimeve e çmuarjeve poetin Lulzim Tafa, duke thënë se përfundimisht me këtë përmbledhje është dëshmuar siguria në të shkruarit e poezisë, guxim për trajtimin e temave në mënyra ndonjëherë tronditëse, duke shpërfillur masat dhe besimet, ndërsa rikonfirmon një stil krejt të veçantë të të shkruarit të poezisë, pa u kornizuar brenda teorish letrare dhe pa u ndikuar nga modele të të shkruarit.
Librin mund ta gjeni në shitje këtë javë në libraritë kryesore të Prishtinës.