Vjetërsia e shkollës shihet sapo të hysh në të, banka e karrige të vjetra, e dritare të thyera
Shkolla fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, është në kushte jo të mira për nxënësit. Këtë vit procesi mësimor ka vazhduar në objektin e vjetër të shkollës, në të cilin mungojnë kushtet elementare për mësim. Shkollës i mungojnë kushtet teknike, kabinetet e salla sportive.
Halim Qerimi, nxënës i klasës së shtatë në këtë shkollë, pranon vështirësitë që ai dhe moshatarët e tij i hasin për çdo ditë. “Nga pak kemi vështirësi, tani në këtë periudhë të vitit nuk punojnë as ngrohjet,e që fatkeqësisht kemi të ftohtë. Prapë se prapë, kjo nuk na ka ndalur që të arrijmë rezultate të mira në garat e ndryshme komunale e ato republikane”, tha Qerimi.
Ankesat nga prindërit e gjithashtu dhe nga stafi i shkollës nuk munguan. Arsimtari i historisë në këtë shkollë, Rexhep Podvorica, i cili ka rreth 25 vite punë në këtë shkollë tha:
“Sa i përket procesit mësimor, ne bëjmë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kushtet nuk i kemi aq të mira, po megjithatë rezultatet nuk kanë munguar”.
Podvorica gjithashtu shtoi se kjo shkollë është me traditë dhe meriton të jetë e pajisur me standarde bashkëkohore, sepse nga kjo shkollë ,sipas,Podvoricës, kanë dalë nxënës me arritje të larta në profile të ndryshme.
Ankesa pati edhe nga prindërit e nxënësve.
Adelina Dervisholli, prind i dy nxënëseve në klasë të pestë, gjithashtu vuri në pah kushtet e vështira në këtë shkollë.
“Kushtet janë të vështira, fëmijët shumë herë sëmuren gjatë stinës së dimrit e kjo për shkak të mungesës së ngrohjes, e për shkak se gati në çdo klasë ka nga së paku një dritare të thyer. Tualetet janë të papastër.
Ky objekt mësimor nuk i ofron kushtet për mësim, por nuk kam zgjidhje tjetër se po të kisha nuk do t’i kisha sjellë fëmijët e mi në këtë shkollë”, përfundoi Dervisholli.
Vjetërsia e shkollës shihet sapo të hysh në të, banka e karrige të vjetra, e dritare të thyera. Sipas drejtorit të shkollës, Skender Haxhiut, arkivat tregojnë se shkolla daton që nga viti 1925.
“Gjatë periudhës sime si drejtor i kësaj shkolle, ka pasur ndërhyrje të vogla në tualete, ngjyrosje të mureve të brendshme të shkollës dhe disa ndërhyrje të vogla që janë paraqitur sipas nevojës, por asnjëherë ndonjë investim i madh”, përfundoi Haxhiu.
Sipas Haxhiut, shkolla punon me tri ndërrime, kryesisht për shkak të numrit të madh të nxënësve, që sipas të dhënave janë rreth 1300 nxënës.
Në klasat e kësaj shkolle, numri i nxënësve sillet rreth 30-35 nxënës. Pavarësisht këtyre vështirësive, Haxhiu përmend sukseset e nxënësve të kësaj shkolle si në garat komunale e ashtu edhe ato republikane të organizuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.
Komuna në dijeni të këtyre problemeve e kushteve, ka nisur ndërtimin e shkollës së re.
Sipas zyrtarëve komunalë, punimet për shkollën e re sipas planifikimit dhe dinamikës së punës pritet të përfundojnë verën e vitit të ardhshëm, shtoi Haxhiu.
Në pamundësi të kontaktojmë me zyrtarët e komunës të Podujevës, nuk arritëm të marrim informata më shumë rreth problemeve që ka kjo shkollë.
Arbenita Krasniqi