Në kuadër të programit Erasmus+ për mobilitet të stafit akademik, profesorët e drejtimit Gjuhë Gjermane në Kolegjin AAB realizuan një vizitë akademike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Schmalkalden, Gjermani.
Kjo vizitë shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, promovimin e Kolegjit AAB në nivel ndërkombëtar dhe avancimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy universiteteve.
Gjatë qëndrimit në Hochschule Schmalkalden, u realizuan observime në ligjëratat e profesorëve të gjuhës gjermane në nivele të ndryshme studimi. Këto aktivitete mundësuan njohjen nga afër me praktikat bashkëkohore të mësimdhënies, përdorimin e metodologjive inovative dhe aplikimin e materialeve didaktike në procesin e mësimit të gjuhës gjermane si gjuhë e huaj.
Një nga aktivitetet qendrore të mobilitetit ishte zhvillimi i ligjëratave para dhjetëra studentëve ndërkombëtarë. Gjatë prezantimit u promovuan Kosova dhe Kolegji AAB, ndërsa u trajtuan edhe tema që lidhen me metodat efektive të mësimdhënies së gramatikës gjermane dhe përdorimin e lojërave didaktike në procesin mësimor. Ligjërata nxiti diskutime aktive dhe shkëmbim të vlefshëm përvojash ndërkulturore.


