Është mbajtur takimi i parë në kuadër të projektit “Designing of a Joint Master program in Forensic Sciences Engineering (FSE-JM)”, me bartës Kolegjin AAB dhe në partneritet me Bradenburgische Technische Universitat (BTU) Gjermani dhe Universitetin e Evropës Juglindore të Maqedonisë së Veriut. Projekti mbështetet financiarisht nga programi Erasmus+, ndërsa ka për qëllim hartimin e një programi master të njohur ndërkombëtarisht dhe ndërdisiplinor në Inxhineri të Shkencave Ligjore, duke u fokusuar në zhvillimin e një kurrikule që kombinon teorinë akademike me praktikën e mjekësisë ligjore, në përputhje me standardet më të fundit evropiane.
Në takim morën pjesë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, prorektorët Venera Llunji dhe Petrit Bushi, drejtoresha e Zyrës së Projekteve Ilirjana Geci, zyrtarja në Zyrën e Projekteve Erëza Mehmeti, koordinatorja e projektit Nora Osmani, dekani i Fakultetit Juridik Mentor Lecaj dhe profesorët nga ky fakultet, si dhe përfaqësues nga Bradenburgische Technische Universitat dhe Universitetit të Evropës Juglindore.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe partneritetit me institucionet tjera për të zhvilluar këtë iniciativë.
“Kolegji AAB është me të vërtetë i nderuar të udhëheqë këtë projekt, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur implementimin e tij dita-ditës me përkushtim dhe përsosmëri.
Drejtoresha e Zyrës së Projekteve Ilirjana Geci, gjithashtu theksoi se projekti do implementohet në përpikmëri, ndërsa falënderoi partnerët bashkëpunues për kontributin që do ofrojnë në vazhdim.
Koordinatorja e këtij projekti Nora Osmani prezantoi objektivat, detyrat dhe qëllimet, derisa foli edhe për rezultatet që pritet të arrihen me përfundimin e projektit.
Për rëndësinë e zhvillimit të projektit folën edhe profesorët e Fakultetit Juridik Mensut Ademi dhe Veton Vula, të cilët thanë se do jenë në gatishmëri të ofrojnë ekspertizën dhe njohuritë e tyre në këtë fushë për të krijuar programin e paraparë.