Aktivitetet vijojnë në kuadër të projektit Homo Digitalis: Profesoresha Violeta Buza dhe studentja Leonida Duhanaj nga Fakulteti i Shkencave Sociale morën pjesë në vizitën e dytë studimore të projektit Homo Digitalis, që u mbajt më 3 dhe 4 dhjetor në Universitetin e Evropës Juglindore (SEEU) në Tetovë, Maqedoni e Veriut.
Vizita studimore mblodhi ekipe ndërdisiplinore nga i gjithë Ballkani Perëndimor për të eksploruar procese të ndryshme të mësimdhënies gjithpërfshirëse. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime dhe aktivitete praktike, duke ndarë përvoja dhe ide mbi përfshirjen aktive të studentëve në proceset mësimore si dhe patën mundësinë të vizitojnë disa zona të rëndësishme të kampusit universitar, duke krijuar përvoja të reja për secilin prej tyre.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj vizite ishte krijimi i rrjeteve profesionale midis stafit akademik dhe studentëve nga institucione të ndryshme, duke hapur mundësi të reja për projekte të përbashkëta dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në rajon. Përmes këtyre aktiviteteve, projekti Homo Digitalis vazhdon të kontribuojë në modernizimin e mësimdhënies dhe në zhvillimin e qasjeve të reja që mbështesin një mjedis më gjithëpërfshirës dhe më bashkëpunues akademik.