Studentët e Kolegjit AAB vizitojnë ekspozitat “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” dhe “Një Ditë” në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës

10 Dhjetor 2024

Me ftesë të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë me drejtues Bekim Blakaj, studentët e Kolegjit AAB sot kanë vizituar dy ekspozitat Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” dhe “Një ditë”, që ndodhen në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës. Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” iu kushtohet 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, 109 prej tyre të zhdukur. Studentët të shoqëruar nga profesori i Fakultetit Juridik Bashkim Rrahmani, panë nga afër muret në të cilat gjenden emrat, kurse të ekspozuara ishin edhe fotografitë, veshjet dhe gjësendet personale të fëmijëve.

Përveç kësaj, studentët dëgjuan edhe rrëfimin e Gramoz Berishës, i mbijetuar i masakrës në Suharekë, që përcolli emocione dhe dhimbje të madhe.

“Një Ditë”, ishte ekspozita e dytë që studentët vizituan, në të cilën shfaqen rrëfimet e traumës nga masakra e Studimes me 2 maj 1999. Aty ndahen detaje tragjike nga të mbijetuarit e kësaj masakre si dhe kujtimet për 116 viktimat.

Këto ekspozita iu shërbyen studentëve që të informohen edhe më shumë rreth përjetimeve të popullit shqiptar, bashkë me sfidat e shumta dhe pasojat që ka lënë kjo luftë. Vizita u realizua në kuadër të projektit “Ndikimi i BE-së në ndërtimin e paqes, pajtimit dhe demokratizimit në Kosovë”, financuar nga programi Erasmus+ Jean Monnet Actions.

Share: