Në Kolegjin AAB është mbajtur ceremonia e lancimit të projektit “EU-Health Acquis”, që synon dizajnimin dhe implementimin e modulit të ri të titulluar “Drejt Kornizës Ligjore të Bashkimit Evropian – Aquis Shëndetësor”, në kuadër të programit Master Shkencor në Menaxhimin e Kujdesit Shëndetësor në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore.
Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian pjesë e Jean Monnet Actions, synon të pajisë studentët me aftësi dhe njohuri të thelluara në lidhje me dimensionin shëndetësor të acquis të BE-së, duke i përgatitur ata për të këshilluar, planifikuar, organizuar, koordinuar dhe ofruar shërbime të kujdesit shëndetësor në përputhje me udhëzimet dhe rregulloret e BE-së.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri e cilësoi projektin si një shembull të shkëlqyer se si institucionet e arsimit të lartë mund të kontribuojnë në promovimin e vlerave evropiane dhe zhvillimin e kuadrove profesionale.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Shëndetësore Idriz Sopjani, theksoi qëllimin që shëndeti është primar kudo në shoqëri, andaj edhe projektet e tilla dëshmojnë këtë.
Në cilësinë e monitoruesit të këtij projekti foli profesori Bujar Demjaha, ku tha se është kënaqësi të jetë pjesë e nismave të tilla, duke shtuar se pret që të implementohet ashtu siç është planifikuar dhe të rezultojë me sukses.
Koordinatorja e projektit Fatime Arënliu Qosaj, prezantoi disa detaje për projektin si kohëzgjatjen, objektivat, aktivitetet kryesore që do zhvillohen dhe konkluzionet. Ajo ndër të tjera përmendi ngritjen e cilësisë të arsimit në institucion si një nga pikat kryesore dhe për këtë projekti bën pjesë në bazat e këtij rrugëtimi.
Edhe profesorët Luan Jaha dhe Mybera Mustafa folën për rolin e projekteve në zhvillim të programit, ndërsa shprehën gatishmërinë për kontribut gjatë fazës implementuese.