Në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB, u mbajt një sesion informues mbi mundësitë që ofrojnë programet Erasmus+ dhe COST Actions. Aktiviteti filloi me një takim të zhvilluar mes znj. Mimika Dobroshi, Koordinatore e Zyrës Erasmus+ në Kosovë, dhe Rektorit të Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, ku u diskutua rreth vazhdimit të bashkëpunimit dhe gatishmërisë për mbështetje në projekte të përbashkëta. Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Venera Llunji, Drejtoresha e Zyrës për Projekte, Ilirjana Geci, dhe Ereza Mehmeti, Zyrtare për Projekte.
Më pas, sesioni informues vazhdoi me prezantimet nga znj. Dobroshi dhe znj. Qamile Sinanaj, përfaqësuese e MASHTI, të cilat ofruan informacion të detajuar mbi mundësitë e mobilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të projekteve zhvillimore në skemat e programit Erasmus dhe COST Actions.
Ky takim dhe sesion informues shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e mundësive për projekte të reja, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të studentëve, stafit, dhe institucionit.