Kolegji AAB forcon praninë ndërkombëtare në Republikën Çeke përmes partneriteteve strategjike dhe projektit Erasmus+ TEAMCRAFT

13 Korrik 2026

Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, së bashku me prorektorët: Bujar Tafa, Gëzim Shabani dhe Venera Llunji, përfaqësueset e Zyrës për Zhvillim të Projekteve: Erëza Mehmeti dhe Arta Musollaj, morën pjesë në Javën Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti Newton në Brno dhe Pragë të Republikës së Çekisë.
Delegacioni i Kolegjit AAB u prit nga z. Robert Michael Westbrook,MBA,LL.M., Mgr. Jiří Peřina, si dhe nga stafi akademik dhe drejtuesit e programeve të Universitetit Newton, në një atmosferë të frytshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi të ideve për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë.
Një nga temat qendrore të takimeve ishte suksesi i përbashkët në aprovimin e projektit “TEAMwork and Social Competence: Reflective Assessment & Mentoring through Face- to-face Training (TEAMCRAFT)”, në kuadër të programit Erasmus+, skema Partnership for Cooperation (KA220-HED). Ky projekt paraqet një arritje të rëndësishme për të dy institucionet, duke krijuar një platformë të re bashkëpunimi për zhvillimin e kompetencave sociale, mentorimit dhe vlerësimit reflektiv në arsimin e lartë.
Po ashtu, gjatë takimeve u diskutua edhe propozimi që Kolegji AAB të bëhet pjesë e Aleancës së Universiteteve Çeke, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të rrjeteve akademike ndërkombëtare mes institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Republikën Çeke.
Ditët në vijim u karakterizuan nga aktivitete intensive të grupeve punuese, të organizuara si në Brno ashtu edhe në Pragë. Diskutimet u përqendruan në tema me rëndësi strategjike për zhvillimin e arsimit të lartë, duke përfshirë lidershipin, të ardhmen e arsimit në menaxhim, si dhe rolin kyç të institucioneve të arsimit të lartë në përgatitjen e liderëve të së ardhmes.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi rëndësinë e krijimit të koncepteve koherente zhvillimore për arsimin e lartë, arsimin ekzekutiv dhe trajnimet profesionale në fushën e lidershipit, duke theksuar nevojën për përgatitjen e udhëheqësve të aftë për të vepruar me sukses në mjedise të ndryshme profesionale dhe shoqërore.
Të gjitha temat e trajtuara dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë Javës Ndërkombëtare u zhvilluan në frymën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit AAB dhe Universitetit Newton, me synimin e përbashkët për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të të dy institucioneve.

Kjo pjesëmarrje përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Kolegjit AAB dhe në përkushtimin e tij të vazhdueshëm për ndërtimin e partneriteteve strategjike që kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë akademike, inovacionit dhe zhvillimit institucional.

Share: