Ёshtë zhvilluar sot diskutimi online dedikuar të gjithë studentëve të Kolegjit AAB me temën: “Ballafaqimi me situatën e krijuar nga COVID-19, menaxhimi i ankthit të tepruar dhe panikut”.
Ekspertët e psikologjisë Prof. dr. Naim Telaku dhe Prof. dr. Fitim Uka, kanë trajtuar për rreth një orë shqetësimet kryesore të shoqërisë gjatë periudhës së ballafaqimit me ankthin e tepruar dhe stresin e krijuar nga izolimi, për shkak të virusit COVID-19.
Pyetje të shumta janë drejtuar live nga studentët e Kolegjit AAB, duke dashur të dinë për mënyrat se si shfaqet ankthi, si t’i kuptojnë shenjat e para të stresit, si të menaxhojnë më së miri qëndrimin në shtëpi dhe efektet mbi ndryshimin e shpejtë të mënyrës së jetesës së tyre.
Profesori z. Telaku dhe Profesori z. Uka, përshkruan një numër të madh të rasteve dhe situatave që shfaqen në rrethana të tilla, duke dhënë edhe rekomandime tejet të vlefshme.
Psikologët inkurajuan të gjithë studentët që të lexojnë sa më shumë, duke përmendur disa prej teknikave kognitive-bihevioriale të cilat tregojnë efikasitet të lartë në luftimin e ankthit apo panikut.
Këshilla kryesore të tyre ishin për praktikimin e një komunikimi të hapur, qoftë online me miqtë virtual apo me anëtarë të familjes, duke konkluduar se frika nuk bënë të trajtohet si një lloj turpi dhe se duhet shfaqur gjendja emocionale. Të folurit hapur dhe komunikimi i lirshëm janë forma të cilat arrijnë të reduktojnë ankthin dhe panikun, thanë ndër të tjera gjatë debatit dy panelistët.
Diskutime të tilla do të vazhdojnë për të trajtuar tema të tjera të rëndësishme, në mënyrë që të ruajmë dhe kultivojmë komunikimin online, duke i mbajtur kështu studentët tonë aktivë.
Diskutim LIVE me studentët e Kolegjit AAB. Tema: Ballafaqimi me situatën e krijuar nga COVID-19, menaxhimi i ankthit të tepruar dhe panikut
Posted by Kolegji AAB on Monday, March 23, 2020