Kolegji AAB hap zyrtarisht Javën Ndërkombëtare të Stafit

13 Maj 2025

Kolegji AAB ka hapur zyrtarisht Javën Ndërkombëtare të Stafit, një ngjarje e rëndësishme akademike që mbledh përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë nga vende të ndryshme të Evropës.

Ceremonia solemne u mbajt në ambientet e Kolegjit AAB dhe filloi me një fjalë përshëndetëse nga Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, znj. Venera Llunji, e cila uroi pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e ndërkombëtarizimit për zhvillimin e arsimit të lartë dhe për forcimin e bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare.

Pas saj, të pranishmit u përshëndetën nga Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Dr. Blerim Olluri, i cili në fjalën e tij theksoi përkushtimin e institucionit për të ofruar përvoja transformuese në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe përfshirje komunitare.

Ceremonia vijoi me prezantimet e delegacioneve ndërkombëtare pjesëmarrëse, të cilat ndanë përvojat dhe praktikat më të mira nga institucionet e tyre. Partnerët ndërkombëtarë që u prezantuan në këtë sesion përfshijnë: NLA University College, Norvegji, Universiteti  Balikesir, Turqi, Universiteti Konya, Turqi,  SMK University of Applied Social Sciences, Lituani,  Newton University, Republika Çeke, Masaryk University, Republika Çeke,  Karoli Gáspár University, Hungari.

Java Ndërkombëtare të Stafit në AAB pritet të karakterizohet nga diskutime interaktive, seminare tematike, prezantime shkencore dhe vizita kulturore që do të mundësojnë shkëmbimin e ideve dhe ndërtimin e partneriteteve të reja.

Kjo javë është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Kolegjit AAB për të qenë pjesë aktive e hapësirës evropiane të arsimit të lartë, duke ofruar një platformë ku dija, eksperienca dhe kultura ndërthuren për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët akademike.

Share: