Edhe një projekt i ri për Kolegjin AAB nga Western Balkans Fund (WBF)

16 Maj 2025

Kolegji AAB është përzgjedhur fitues i grantit në kuadër të thirrjes së 7-të të organizuar nga Western Balkans Fund (WBF), e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë thirrje janë dorëzuar gjithsej 417 aplikime nga organizata të shoqërisë civile, asociacione dhe institucione të ndryshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor, prej të cilave janë përzgjedhur vetëm 30 projekte për mbështetje financiare. Në mesin e tyre, Kolegji AAB është institucioni i vetëm i arsimit të lartë nga Kosova që ka siguruar këtë grant, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij udhëheqës në zhvillimin e projekteve me ndikim rajonal.

Projekti fitues do të implementohet në partneritet me institucione nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe ka për qëllim të avancojë edukimin për qëndrueshmëri në institucionet e arsimit të lartë në këto vende, duke përfshirë temat e agjendës së gjelbër dhe promovuar bashkëpunimin rajonal. Përmes angazhimit aktiv të studentëve, projekti synon të zhvillojë kompetenca praktike dhe të nxisë një kulturë të përgjegjësisë mjedisore në kampuse dhe komunitete.

Zyrtarja nga Zyra e Projekteve e Kolegjit AAB, Arta Musollaj, mori pjesë në ceremoninë e pranimit të grantit që u mbajt në Durrës.

Share: