Kolegji AAB mori pjesë aktive në seminarin “Integriteti Akademik: Sfidat dhe Zgjidhjet në Arsimin e Lartë”, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, në kuadër të Misionit të Asistencës Teknike (TAM), të mbështetur nga Komisioni Evropian dhe të inicuar nga Ekspertët e Reformës në Arsimin e Lartë (HERE).
Ky seminar mblodhi ekspertë të arsimit të lartë nga Kosova dhe Evropa, për të diskutuar sfidat institucionale dhe ligjore të integritetit akademik dhe për të ndarë praktikat më të mira në këtë fushë. Aktiviteti u moderua nga Mimika Dobroshi, koordinatore e Zyrës Erasmus+ në Kosovë, ndërsa fjalët hyrëse u mbajtën nga Bora Shpuza, Shefe e Kabinetit të Ministres së Arsimit, dhe Lucia Parducci, Menaxhere Programi në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Kolegjit AAB: Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Venera Llunji, Prorektorja për Çështje Akademike, Prof. Asoc. Dr. Furtuna Mehmeti, dhe Koordinatorja e Zyrës Ndërkombëtare dhe Kërkimeve, Mimoza Kamberi.
Prorektorja Llunji kontribuoi aktivisht në diskutime, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një kulture të integritetit akademik në institucionet e arsimit të lartë. Ajo theksoi se Kolegji AAB mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, drejtësisë dhe përkrahjes së reformave që e afrojnë arsimin në Kosovë me standardet evropiane.
Në mesin e kontributit vendor dhe ndërkombëtar, Prof. Fisnik Korenica (HERE) theksoi nevojën për zgjerimin e kodit të etikës dhe forcimin e standardeve të trajtimit të rasteve të shkeljeve të integritetit. Ndërkohë, Z. Korab Dragidella prezantoi platformën INSPERA, një zgjidhje teknologjike vendore për detektimin e plagjiaturës e cila tashmë po përdoret gjerësisht në Evropë.
Eksperti ndërkombëtar Dr. Mohammad Khalil dha një pasqyrë mbi format më të shpeshta të plagjiaturës dhe sfidat globale në ruajtjen e integritetit akademik.
Seminari përmbylli punimet si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përpjekjet drejt harmonizimit të arsimit të lartë në Kosovë me standardet evropiane.