AAB partner në CSIT® 2025 – Prezantime dhe kontribute nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike

20 Qershor 2025

Konferenca shkencore ndërkombëtare dyditore CSIT® 2025 nisi dje me një ceremoni zyrtare në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, duke mbledhur akademikë dhe studiues nga rajoni dhe më gjerë. Partner në këtë aktivitet të rëndësishëm ishte edhe Kolegji AAB, i cili kontribuoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në organizim dhe pjesëmarrje shkencore.

Në cilësinë e folësit të ftuar në panelin kryesor mori pjesë Prof. Ass. Dr. Jusuf Qarkaxhija, Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB, duke ndarë pikëpamje mbi zhvillimet aktuale në fushën e teknologjisë dhe shkencave kompjuterike në kontekstin akademik dhe të tregut të punës.

Gjatë sesioneve shkencore të konferencës, një grup profesorësh nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në AAB prezantuan punimet e tyre kërkimore. Ndër ta ishin Laurik Helshani, Jusuf Qarkaxhija, Valton Kamberaj, dhe të tjerë, të cilët trajtuan tema bashkëkohore që lidhen me inteligjencën artificiale, rrjetet kompjuterike dhe zhvillimin e softuerit.

Një tjetër grup profesorësh nga AAB kontribuoi në cilësinë e rishikuesve shkencorë, duke vlerësuar punimet e dërguara në konferencë dhe duke siguruar standardin akademik të publikuar në këtë ngjarje prestigjioze.

Konferenca CSIT® mbetet një ndër platformat më të rëndësishme në rajon për shkëmbim profesional, bashkëpunim ndërinstitucional dhe nxitje të kërkimit shkencor në teknologji dhe informatikë.

Share: