Prof. Ass. Dr. Mentor Lecaj, Dekan i Fakultetit Juridik në Kolegjin AAB dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, ka marrë pjesë në një trajnim profesional të mbajtur në Universitetin Romanian American në Bukuresht, Rumani. Ky trajnim u zhvillua në kuadër të një programi intensiv akademik me temën “Përgatitja e studentëve në një ambient ndërkulturor”, dhe kishte për qëllim përmirësimin e qasjeve pedagogjike në mësimdhënie dhe ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit në Bukuresht, Prof. Lecaj mori pjesë në sesione të shumta trajnuese që trajtonin zhvillimin profesional të stafit akademik dhe integrimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies në ambiente ndërkulturore. Në fokus të trajnimeve ishin përgatitja e studentëve për sfidat e një tregu pune global, krijimi i klasës interaktive, si dhe rëndësia e ndjeshmërisë kulturore në procesin edukativ.
Pjesë e këtij trajnimi ishin edhe takimet strategjike me përfaqësues të menaxhmentit të universitetit nikoqir dhe institucioneve të tjera partnere nga vende të ndryshme. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë për bashkëpunime të reja, të cilat do të përfshijnë projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime të stafit akademik dhe studentëve, si dhe organizimin e aktiviteteve ndërinstitucionale që përkrahin ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.