Telegram Ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit dhe pedagogut të madh, Enver Petrovci

24 Shtator 2025

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit tonë të madh, intelektualit, pedagogut dhe njeriut të jashtëzakonshëm, Enver Petrovci.
Figura e tij nuk ishte vetëm e skenës dhe e ekranit, por edhe e mendjes së ndritur dhe e shpirtit të lirë, që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën, artin dhe edukimin e brezave të tërë.

Për ne në Kolegjin AAB, kjo humbje është dyfish e dhembshme. Profesor Enver Petrovci ishte udhërrëfyes i studentëve tanë, profesor e pedagog i përkushtuar dhe frymëzues i gjeneratave të reja të artistëve. Si ish-Rektor i Kolegjit AAB, ai mbolli vizion, integritet dhe dashuri për dijen, duke na kujtuar gjithmonë se arti dhe akademia janë dy shtylla të së njëjtës urë që lidh shpirtin me dijen dhe përjetësinë.

Kultura shqiptare humbi një prej ikonave të saj më të ndritura, por veprat, fjala dhe prania e tij nuk do të shuhet kurrë. Ai do të mbetet përgjithmonë një pishtar drite, një frymëzim i pavdekshëm, një kujtim që do të na udhëheqë përjetësisht.

Në emër të Kolegjit AAB dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, studentëve dhe gjithë atyre që e deshën dhe e nderuan.

Largimi i tij nga kjo jetë nuk është fundi, por shndërrimi i tij në amshim, aty ku jetojnë vetëm figurat e mëdha.

Dr.Sc. Blerim Olluri
Rektor i Kolegjit AAB

Share: