Pas dy javësh intensive me aktivitete akademike, ligjërata dhe diskutime interaktive, Programi i Shkollës Verore KO-in-EU ka përfunduar me sukses në Kolegjin AAB.
Si pjesë e programit përmbyllës, Prof. Asoc. Dr. Venera Llunji mbajti një seri ligjëratash gjatë javës, kushtuar procesit të integrimit evropian, politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe dialogut Kosovë–Serbi. Gjatë këtyre sesioneve u trajtuan në mënyrë të detajuar kriteret politike, juridike dhe ekonomike për anëtarësim në BE, si dhe rëndësia e harmonizimit me acquis communautaire (legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian).
Gjatë gjithë kohëzgjatjes së Shkollës Verore, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi proceset e integrimit në BE, politikat e Bashkimit Evropian dhe sfidat kryesore që lidhen me rrugëtimin evropian të Kosovës. Programi ndërthuri ligjëratat akademike me diskutime interaktive, duke nxitur mendimin kritik dhe analizën krahasuese të modeleve evropiane të qeverisjes dhe integrimit.
Shkolla Verore KO-in-EU shërbeu si një platformë e rëndësishme akademike për forcimin e njohurive në studimet evropiane, politikat e zgjerimit të BE-së dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në përpjekjet më të gjera për ndërkombëtarizimin e Kolegjit AAB dhe në përkushtimin e tij për ekselencë akademike.
Në përfundim të programit, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, duke shënuar përmbylljen me sukses të Shkollës Verore KO-in-EU në Kolegjin AAB.



