Fakulteti i Psikologjisë në Kolegjin AAB, ka organizuar tryezën e diskutimit e titulluar “Traumat ndërbrezore dhe drejtësia tranzicionale”, një ngjarje që mblodhi profesionistë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme për të diskutuar ndikimin e traumës së trashëguar dhe rolin e institucioneve.
Në panel morën pjesë znj. Adile Shaqiri – Udhëheqëse e Divizionit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare nga Ministria e Drejtësisë, znj. Venesa Sulimani – Aktiviste dhe folëse publike, e angazhuar në çështjet e traumës ndërbrezore dhe të drejtave të fëmijëve të prekur nga dhuna seksuale, z. Valdon Bytyçi – Zyrtar i Lartë për Drejtësi Tranzicionale, Ministria e Drejtësisë, znj. Arjeta Ahmedi – Psikologe klinike, SOS Fshatrat e Kosovës.
Diskutimi adresoi mënyrat se si trauma transmetohet përmes heshtjes, narrativave familjare dhe mosbesimit institucional, si dhe rëndësinë e drejtësisë tranzicionale në rikthimin e dinjitetit dhe besimit shoqëror. Panelistët ndanë perspektiva mbi sfidat aktuale të shërbimeve sociale, pasojat psikologjike të traumës së trashëguar dhe nevojën për politika të koordinuara ndërinstitucionale.
Ngjarja u mbyll duke theksuar se adresimi i traumës ndërbrezore kërkon dialog të përhershëm, transparencë dhe bashkëpunim, si bazë për një shoqëri më të shëndetshme dhe më të drejtë për brezat e ardhshëm.


