Kolegji AAB nikoqir i tryezës “Zëra që thyejnë heshtjen” në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës

27 Nëntor 2025

Kolegji AAB ishte nikoqir i tryezës “Zëra që thyejnë heshtjen”, një aktivitet i organizuar në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës, fushatë globale që synon ndërgjegjësimin dhe luftimin e çdo forme të dhunës ndaj individit, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike apo sociale.

Takimi u hap nga përfaqësuesit e Kolegjit AAB dhe psikologia e QKRMT-së, Selvie Izeti, e cila theksoi rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes për të mbijetuarit.

Dr. Feride Rushiti, drejtuese e KRCT (Kosova Rehabilitation Center for Torture Victims), foli mbi rolin kyç të institucionit në proceset e rehabilitimit, drejtësisë dhe mbështetjes së vazhdueshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesa kryesore dhe më emocionale e tryezës ishin rrëfimet e Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri, të cilat ndanë historitë e tyre të guximit, rëndësinë e zërit, dinjitetit dhe të drejtave të të mbijetuarve.

Pas diskutimeve kryesore, u hap një sesion pyetjesh nga studentët e Kolegjit AAB, të cilët shfaqën interesim të madh mbi sfidat, mbështetjen institucionale dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit shoqëror.

Ky aktivitet riafirmoi përkushtimin e Kolegjit AAB për të qenë hapësirë e dialogut, vetëdijësimit dhe mbështetjes për çështje me rëndësi të madhe shoqërore.

Share: