Është mbajtur Konventa e 8-të e Përpunimit të Drurit, ku Kolegji AAB u përfaqësua nga Zv/rektori Prof.Dr. Ilir Bytyçi, i cili kontribuoi si panelist në sesionin e dedikuar për bashkëpunimin mes arsimit të lartë dhe industrisë së përpunimit të drurit.
Gjatë fjalës së tij, Prof. Bytyçi theksoi se industria e përpunimit të drurit në Kosovë po shënon një rritje të qëndrueshme dhe po tërheq vëmendje gjithnjë e më të madhe në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Ai nënvizoi se strategjia kombëtare për zhvillimin e këtij sektori kërkon mbështetje më të fuqishme, jo vetëm nga institucionet qeveritare, por edhe nga ato akademike, të cilat luajnë një rol kyç në përgatitjen e kuadrove profesionale.
Ai përmendi veçanërisht programet e Fakultetit të Arkitekturës si dhe programin e ri bachelor Dizajn i Hapësirave të Brendshme në kuadër të Fakultetit të Arteve të Aplikuara. Ky program përfshin lëndë që trajtojnë përpunimin e drurit, dizajnin industrial, dizajnin e mobiljeve, materialet për përpunim final dhe fusha të tjera të ngjashme, duke përgatitur profesionistë të aftë të zbatojnë njohuritë e tyre në praktika bashkëkohore, si në kontekstin lokal ashtu edhe global.
Gjithashtu, Prof. Bytyçi prezantoi projekte konkrete të AAB’së që adresojnë drejtpërdrejt nevojat e industrisë. Ndër to u veçua “Programi Ekzekutiv në Industrinë e Drurit”, i realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës dhe SHEHU Group, i financuar nga USAID. Ky program u mundëson studentëve të kombinojnë komponentën teorike të zhvilluar në Kolegjin AAB nga profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë me praktikën profesionale të organizuar në ambientet e SHEHU Group. Po ashtu, u theksua edhe projekti CreaTech, i mbështetur nga Instituti Evropian për Inovacion dhe Teknologji (EIT).
Kolegji AAB vazhdimisht organizon punëtori, takime dhe forume me industrinë, ku përfaqësuesit e bizneseve paraqesin kërkesat për aftësitë dhe profilin profesional të kuadrove që u nevojiten, duke mundësuar kështu harmonizimin e programeve akademike me zhvillimet reale të tregut të punës.