Në Kolegjin AAB është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët pjesëmarrës në trajnimin “Knowledge Lab”, pjesë e projektit “Createch”, financuar nga Instituti Evropian për Teknologji dhe Inovacion, në kuadër të skemës financuese të Horizon Europe të Komisionit Evropian.
Ky program u zhvillua me disa sesione trajnimi online dhe onsite, që përfshinin punë në grup, projekte reale dhe prezantime nga profesionistë ndërkombëtarë, duke ofruar një eksperiencë të plotë mësimore që lidh teorinë me praktikën.
Koordinatori i projektit “Createch”, profesori i Fakultetit Ekonomik Agron Mustafa, ndau me pjesëmarrësit përvojën dhe zhvillimin e këtij projekti, bashkë me zbatimin e trajnimit dhe rëndësinë që paraqet për studentët.
Zv/rektori i Kolegjit AAB, Prof. Ass Dr. Ilir Bytyçi, tha se “Kolegji AAB ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe implementimin e programit “Knowledge Lab”, një program trajnimi unik që ka kontribuar ndjeshëm në përgatitjen e studentëve për sfidat dhe mundësitë që ofrojnë industritë kreative dhe teknologjike”.
Një nga studentët pjesëmarrës në këtë trajnim, Vesa Morina, vlerësoi mundësinë e ofruar nga AAB, duke theksuar se “Knowledge Lab” ka ndihmuar studentët të zhvillojnë aftësi praktike, të punojnë në projekte reale dhe të fitojnë përvojë nga ekspertë të fushës.
Në përmbyllje të ceremonisë, studentëve iu ndanë certifikatat e përfundimit të trajnimit, duke uruar suksese në rrugëtimin e tyre akademik, si dhe duke i inkurajuar që njohuritë e fituara t’i shëndërrojnë në iniciativa konkrete.




