Këtë javë u mbajt aktiviteti i parë informues dhe i vlerësimit të nevojave me stafin e Kolegjit AAB, ku morën pjesë punonjës nga zyra dhe njësi të ndryshme të institucionit.
Ky takim shënon fillimin e serisë së aktiviteteve që zhvillohen në kuadër të projektit që zbatohet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT), me mbështetjen e organizatës AMNA, në bashkëpunim me Fakultetin e Psikologjisë.
Ky sesion që u udhëhoq nga Vjollca Pllana (KRCT), hapi diskutime të rëndësishme mbi mirëqenien psikologjike dhe krijimin e mjediseve universitare më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për stafin dhe studentët.
Ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm institucional, duke promovuar mirëqenien, sigurinë, besimin dhe ndjenjën e përkatësisë në komunitetin akademik.


