Global Money Week: Zhvillohet paneli diskutues për rolin e parasë digjitale në luftimin e evazionit tatimor

24 Mars 2026

Në kuadër të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë (Global Money Week), Qendra për Karrierë në Kolegjin AAB ka mbajtur një panel diskutimi me temën “Roli i parasë digjitale në luftimin e evazionit tatimor”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe ekspertëve të fushës financiare.

Paneli u moderua nga profesori Medain Hashani, i cili theksoi rëndësinë e trajtimit akademik dhe praktik të zhvillimeve në sektorin financiar, duke vënë në pah rolin në rritje të digjitalizimit në përmirësimin e transparencës dhe forcimin e mekanizmave kundër evazionit tatimor.

Në panel ishin të ftuar Dardan Fusha nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Mentor Hyseni nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Bashkim Zeqiri nga Paysera.

z.Fusha nga BQK, trajtoi zhvillimet aktuale në sistemin financiar, me theks të veçantë në rolin dhe ndikimin e teknologjive digjitale në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Ai theksoi se avancimi i instrumenteve digjitale të pagesave mundëson procese më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më efektive, duke lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe duke mbështetur aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst ai nënvizoi se këto zhvillime kontribuojnë në rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe në forcimin e integritetit të sistemit financiar.

Kurse nga perspektiva institucionale tatimore, z.Hyseni nga ATK, vuri theksin në rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në identifikimin dhe parandalimin e evazionit tatimor. Ai theksoi se digjitalizimi i proceseve tatimore dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional janë elemente kyçe për përmirësimin e përmbushjes së obligimeve tatimore.

Ndërkaq, z.Zeqiri nga Paysera, foli për rolin e platformave financiare digjitale në transformimin e mënyrës së realizimit të pagesave dhe ndikimin e tyre në reduktimin e ekonomisë informale. Ai theksoi se përdorimi i zgjidhjeve moderne të pagesave kontribuon në rritjen e efikasitetit dhe transparencës në aktivitetet ekonomike.

Paneli pati diskutime interaktive dhe shkëmbim të perspektivave ndërmjet panelistëve dhe pjesëmarrëse. Ky aktivitet shërbeu si një hapësirë për trajtimin e çështjeve aktuale që lidhen me zhvillimet ekonomike dhe financiare në nivel vendor dhe global.

Share: