Qendra për Karrierë zhvillon aktivitet akademik mbi lumturinë dhe mirëqenien

25 Mars 2026

Në kuadër të aktiviteteve nga Qendra për Karrierë, është mbajtur një ngjarje e veçantë e organizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Psikologjisë, në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë.

Ky aktivitet iu ofroi pjesëmarrësve mundësinë të jenë pjesë e një diskutimi të hapur dhe mjaft inspirues, ku temë kryesore ishte roli i mendjes, përvojave dhe zgjedhjeve tona në mirëqenien dhe lumturinë personale.

Për të diskutuar në lidhje me këtë temë ishte i ftuar psikologu Safet Blakaj, që ndau me të pranishmit këndvështrime profesionale mbi shëndetin mendor, duke theksuar se lumturia është një proces i vazhdueshëm që kërkon vetëdije, reflektim dhe përkushtim. Ai gjithashtu foli për rëndësinë e menaxhimit të emocioneve dhe ndikimin që kanë mendimet tona.

Në anën tjetër, dekanja e Fakultetit të Psikologjisë Arvesa Studenica, u ndal tek rëndësia e përvojave jetësore dhe zgjedhjeve individuale, si inkurajim për studentët që të marrin përgjegjësi për zhvillim e tyre personal dhe profesional. Ajo theksoi se vendimet ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien tonë dhe rrugëtimin për një jetë më të lumtur.

Gjatë aktivitetit studentët parashtruan pyetje të shumta dhe ndanë mendimet e tyre, ndërsa diskutuan në lidhje me temën. Kjo shërbeu që të krijohej një ambient reflektimi dhe motivimi për të gjithë pjesëmarrësit.

Share: