Fakulteti Ekonomik pjesë e eventit ndërkombëtar “SMK EcoVibe 2026” në Lituani

31 Mars 2026

Kolegji AAB vazhdon të forcojë prezencën e tij në arenën ndërkombëtare akademike, duke qenë pjesë e eventit “SMK EcoVibe – International Collaboration Event”, i organizuar në Kaunas, Lituani.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Fakulteti Ekonomik u përfaqësua nga Assoc. Prof. Dr. Besime Ziberi, e cila prezantoi punimin me titull “Bridging Higher Education and the Green Labor Market: Preparing Future Skills for a Sustainable Economy”. Prezantimi u fokusua në një nga çështjet më aktuale globale: lidhjen midis arsimit të lartë dhe kërkesave të tregut të punës në kontekstin e tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër.

Gjatë prezantimit, u trajtua roli i ekonomisë së gjelbër si një model zhvillimi që synon uljen e emetimeve të karbonit, rritjen e efikasitetit të burimeve dhe promovimin e qëndrueshmërisë. Në këtë kuadër, u theksua se transformimet globale të lidhura me ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën e tregut të punës, duke krijuar kërkesa të reja për aftësi dhe profesione të reja në sektorë si energjia e rinovueshme, ndërtimi i gjelbër dhe ekonomia qarkulluese.

Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, prezantimi theksoi sfidat dhe mundësitë që lidhen me tranzicionin e gjelbër, duke përfshirë nevojën për politika më të avancuara, mbështetje institucionale dhe investime në kërkim shkencor dhe inovacion.

Pjesëmarrja në këtë event ndërkombëtar dëshmon përkushtimin e Kolegjit AAB dhe Fakultetit Ekonomik për ndërkombëtarizim, zhvillim të kërkimit shkencor dhe kontribut aktiv në adresimin e sfidave globale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ardhmen e tregut të punës.

Share: