Rektori i Kolegji AAB, Prof. Blerim Olluri, po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi me qëllim të forcimit të partneriteteve akademike dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të institucionit.
Në kuadër të kësaj vizite, ai zhvilloi një takim të rëndësishëm me Rektorin e Istanbul Esenyurt University, Prof. Dr. Süleyman Özdemir, i cili i rezervoi një mikpritje të ngrohtë delegacionit nga AAB.
Gjatë takimit, dy rektorët diskutuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke përfshirë organizimin e përbashkët të konferencave shkencore, realizimin e vizitave studimore, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike.
Fokus i veçantë i diskutimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe shkencave kompjuterike, fusha që paraqesin një potencial të madh për zhvillimin e kërkimeve të avancuara dhe projekteve inovative.
Rektorët Olluri dhe Özdemir u pajtuan që në të ardhmen të intensifikojnë komunikimin dhe takimet ndërmjet institucioneve, me synim fuqizimin e bashkëpunimit në shkencë, kërkime shkencore dhe botime të përbashkëta, duke krijuar kështu mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të të dy universiteteve.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të mëtejshëm të partneriteteve akademike të Kolegjit AAB.


