Përfaqësues të Kolegjit AAB, Dekani i Fakultetit Ekonomik Prof. Ass. Dr. Xhavit Islami dhe Dr. Sc. Enis Mulolli, morën pjesë në Javën Ndërkombëtare të organizuar nga Algebra Bernays University në Zagreb, Kroaci.
Gjatë kësaj vizite, profesorët patën mundësinë të njihen me vizionin, politikat dhe zhvillimet akademike të universitetit pritës, si dhe të marrin pjesë në punëtori dhe aktivitete akademike të organizuara gjatë kësaj Jave Ndërkombëtare.
Kjo javë u karakterizua gjithashtu nga takime dhe diskutime me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë pjesëmarrëse në ngjarjen shkencore, nga Evropa dhe më gjerë, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim ndërinstitucional.
Në kuadër të këtij angazhimi, u zhvilluan takime të shumta me përfaqësues të universiteteve pjesëmarrëse, duke hapur rrugë për krijimin e marrëveshjeve të reja bashkëpunimi dhe forcimin e partneriteteve ekzistuese. Interes i veçantë u shpreh për bashkëpunim në fusha inovative si biznesi digjital, marketingu digjital, analiza e të dhënave dhe inteligjenca artificiale. Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të Kolegjit AAB, duke kontribuar në zhvillimin e programeve moderne dhe në përputhje me trendet bashkëkohore në arsimin e lartë.


